Shkolla e Magjistraturës, në datat 4-5 dhjetor 2024, zhvillon gjyqin imitues me temë: “Trafikimi i Personave”, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE.
Ky aktivitet u përshëndet nga Kryetari i Prezencës së OSBE, Shkëlqesia e tij, Ambasadori Michel Tarran dhe Z. Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, si dhe nga ekspërtët pjesëmarrës në këtë Z. Sandër Simoni, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe Znj. Doloreza Musabelliu, Prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Trajnimi i formatit “gjyq imitues” për çështjet e trafikimit të personave për kandidatët për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës ofron një mundësi trajnimi nëpërmjet një metodologjie që i qëndron afër realitetit të sallës së gjyqit. Gjyqi imitues është një hapësirë të sigurt për të mësuar dhe për të provuar zgjidhje të reja në gjykimet penale dhe posaçërisht në veprat e trafikimit të personave, të njohura për kompleksitetin e hetimit dhe gjykimit.
Objektivi i gjyqit imitues nuk është që të përmirësohen aftësitë e përgjithshme të pjesëmarrësve në sallën e gjyqit, por që t’i ndihmojë ata të kuptojnë problematikat dhe sfidat tipike në çështjet e trafikimit të personave si dhe t’u mundësojë të mprehin aftësitë për trajtimin e këtyre çështjeve.
Bazuar në manualin e OSBE-së “Për mënyrën e zhvillimit të një gjyqi imitues për trafikimin e personave”, gjyqi imitues udhëhiqet nga një grup pune me përbërje gjyqtarë dhe prokurorë, me përvojë në ndjekjen penale dhe gjykimin e trafikimit dhe njëkohësisht të specializuar në këtë metodologji. Ky trajnim zhvillohet në kuadrin e projektit “Avancimi i kapaciteteve trajnuese të Shkollës së Magjistraturës dhe Akademisë së Sigurisë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzorë”, i cili zbatohet me mbështetjen e qeverive të Shteteve të Bashkuara, Norvegjisë dhe Italisë.